Ekonomia sfidon Bankën e Anglisë – Pritet të mos tkurrë politikat monetare në takimin e Majit
Banka e Anglisë pritet të mbajë normat e interesit të pandryshuara në takimin e 10 Majit dhe pritet ta ketë të vështirë për të bindur investitorët nëse do të rrisë kostot e huamarrjes për këtë vit.
Të dhënat e dobëta mbi ekonominë dhe komentet e kujdesshme të Guvernatorit Mark Carney, kanë ulur pritshmëritë, që ishin thuajse të sigurta, në rritjen e normës bazë të interesit. Që kur mori postin e tij në vitin 2013, Mark Carney ka sinjalizuar disa herë tkurrjen monetare, por të dhënat ekonomike kanë bërë që Banka Qendrore të mos ndërhyjë.
Ndërkohë që perspektiva mbi ekonominë britanike është ende e paqartë dhe kushtet e daljes së vendit nga Bashkimi Europian nuk janë caktuar ende, banka pritet të mos rrezikojë në takimin e së Enjtes.
Sfida më e madhe do të jetë ruajtja e perspektivës për një rritje të normës bazë më vonë gjatë vitit përballë investitorëve, të cilët argumentojnë se ngadalësimi i ekonomisë do të devijojë kursin e bankës.
Paundi ra në nivelin më të ulët në 5 muaj këtë javë kundër dollarit amerikan, ndërkohë që investitorët kanë perspektiva të ndryshme për rritjen ekonomike dhe normat e interesit në të dyja anët e atlantikut. Sipas analistëve të Barclays, komunikimi i Bankës Qendrore pas datës 10 Maj do të jetë tejet i vështirë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.