Ekonomia turke: Erdogan i bën reklamë “modelit kinez”!
Presidenti turk ka kontribuar në zhvlerësimin e lirës turke. Megjithatë, Recep Tayyip Erdogan kërkon që të vazhdojë me këtë kurs, që ka pasur sukses në Kinë. Ekspertët thonë se krahasimi çalon.
Ka vite që ekonomia turke është duke u rrënuar nga turbo-inflacioni dhe rritja e madhe e çmimeve po i mundon njerëzit. Energjia, banesa ose ushqimet kryesore duhen paguar shtrenjtë dhe më e keqja për shumë turq është se presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij në Ankara nuk po ndërmarrin asgjë, për të ndaluar këtë zhvillim, përkundrazi.
Këtë e treguan edhe javët e kaluara: Me urdhër të Erdogan Banka Qendrore turke vendosi që të ulë përqindjet e interesit nga 16 në 15 %. Ulja e përqindjeve të interesit gjatë inflacionit, është një gjë e pazakontë. Zakonisht Bankat Qendrore e luftojnë inflacionin e lartë me rritjen e nivelit të përqindjeve.
Si pasojë lira turke ra shumë pasi për një dollar amerikan duhen paguar tani 14 lira, rreth 50 % më shumë se një muaj më parë. Edhe inflacioni është rritur shumë dhe ka arritur tani më shumë se 21 %.
Erdogan aktualisht po u kërkon njerëzve të kenë durim dhe premton se politika e tij monetare do të ketë sukses në afat të gjatë. Investimet dhe prodhimi do të nxiten menjëherë dhe eksportet do të shtohen. Kjo politikë ekonomike dhe monetare i ngjan “modelit kinez”, tha presidenti sipas mediave turke, para kryesisë së partisë në pushtet, AKP.
Në fakt monedha e dobët i bën më të lira eksportet vendase duke i bërë ato më tërheqëse. Edhe Kina është kritikuar shpesh në të kaluarën se në krahasim me konkurrencën, ka krijuar favorizime duke i rritur eksportet me anë të zhvleftësimit artificial të monedhës. Megjithatë, yuani kinez nuk është krejt i lirë për t’u tregtuar, kursi i tij mbahet në kufij të caktuar nga Banka Qendrore kineze.
Erdogan sheh ngjashmëri të tjera midis Turqisë dhe Kinës. Të dy ekonomitë popullore arritën që të kishin rritje edhe në vitin e krizës së Covid, 2020. Po ashtu, të dyja vendet janë të preferuara nga investitorët, që përfitojnë prej kostove të ulta të punës dhe prodhimit. Megjithatë shumë ekspertë dhe politikanë në opozitë me Erdoganin, thonë se krahasimi me Kinën është absurd.
DW
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.