Ekskluzive për TV SCAN, Hoti: Sfidat e të ardhmes së Kosovës
Situata ekonomike dhe kryesisht ajo e financave publike në Kosovë aktualisht është ndër më të mirat në rajonin e Ballkanit. Në një intervistë ekskluzive për TV SCAN, ish-kandidati për kryeministër, aktualisht ministri i Financave në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se niveli i ulët i borxhit publik, që aktualisht është 14 % ka krijuar një stabilitet në financat publike, si dhe favorizon rritjen e investimeve publike.
“Situata sot në Kosovë tek Financat Publike është dukshëm më e mirë se sa në të gjitha vendet e rajonit realisht. Borxhi publik i yni është shumë i ulët, vetëm 14 për qind e Bruto Produktit Vendor që na favorizon ne për të hyrë në borxhe të reja për të financuar projekte kapitale. Ne e kemi rregulluar me ligj tashmë çështjen e borxhit publik. Ligji i financave publike ne na përcakton se borxhet e reja publike mund të krijohen vetëm për të financuar projekte kapitale, nëpër sektorë të ndryshëm dhe projektet e kapitalit duhet të shkojnë në një proces rishikimi për t’u siguruar që ndikojnë maksimalisht në rritjen e ekonomisë vendore, punësimit dhe përmirësimit të jetës të qytetarëve”, tha Hoti.
Por cilat janë sfidat që ka Kosova në të ardhmen sipas Hotit?
“Puna e parë që duhet të bëhet besoj në qeverinë e ardhshme është vazhdimi i këtyre reformave, mbajtja e situatës që e kemi krijuar tashmë dhe hapja e perspektivës së re. Ka plot çështje që nuk lidhen me ekonominë që janë çështje politike, si normalizimi i marrëdhënieve në rajon, me Serbinë në veçanti, si nxitja e dialogut dhe njohja reciproke e këtyre dy vendeve, më andej çështja politike që kemi me demarkacionin me Malin e Zi, avancimi i statusit të Kosovës drejt BE etj. Këto janë çështje që shkojnë përtej reformave ekonomike, që besoj duhet të gjejnë adresim në ditët e para të mandatit të ardhshëm”, u shpreh Hoti.
Aktualisht, në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe akoma nuk është formuar qeveria e re. Por një stabilitet i financave publike është një “ogur” I mirë për të nisur mbarë qeverisjen e vendit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.