Ekskluzive/Projeksionet deri në 2032 – Ekonomia shqiptare do të dyfishohet, por nuk do të ketë progres
Paçka se ekonomia shqiptare do të dyfishohet gjatë 15 viteve të ardhshme, Shqipëria do të humbasë lehtë peshë në ekonominë globale, thotë një studim i fundit i siguruar ekskluzivisht nga Scan.
World Economic League Table 2018 merr në analizë 192 ekonomi të ndryshme të botës dhe përpilohet nga instituti britanik për kërkime ekonomike dhe biznesin.
Në vitin 2032 ekonomia shqiptare do të dyfishohet në volum, thotë studimi, nga 13 miliardë dollarë prodhim të brendshëm bruto aktualisht, në 25 miliardë në çmime konstante, dhe në 34 miliardë dollarë në çmimet aktuale.
Por, mesa duket, rritja e Shqipërisë do të jetë më e dobët se të tjerët. Kjo, pasi raporti thotë, se në listën globale, ekonomia shqiptare, do të zbresë nga vendi i 125 aktualisht në të 126 gjatë viteve të ardhshme, për të rifituar sërish vetëm në vitin 2032 pozicionin e 125-të.
Ne presim që normat e rritjes ekonomike të vendit të jenë në rreth 3.7% përgjatë viteve 2017-2021, përpara se të rriten lehtë në 4% në vitin 2022. Shqipëria do të lëvizë shumë pak në ligën botërore të ekonomisë-thuhet në raport.
Në raport vihet theksi gjithashtu edhe të tkurrja e frikshme e popullsisë. “Pas liberalizimit të vizave, pati një eksod që tkurri popullsinë me 17%. Aktualisht, popullsia e vendit po bie me një hap prej 0.2% çdo vit”,-thuhet më tej.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.