“Eksod” nga Biblioteka – Ulet numri i lexuesve, shtohen turistët
Numri i shqiptarëve që lexojnë duket në rënie drastike. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i frekuentimeve në bibliotekën më të rëndësishme në vend është përgjysmuar në tremujorin e dytë të vitit.
Numri i frekuentimeve në Bibliotekën Kombëtare zbriti në 26 mijë, nga mbi 50 mijë që kishte qenë në tremujorin e dytë të vitit 2016. Kjo tendencë rënëse ishte vërejtur qartë edhe në tremujorin e parë, kur numri i frekuentimeve ra me 31%. Efektet e epokës dixhitale po reflektohen qartë në frekuentimin e bibliotekave. Rritja e aksesit në informacion përmes internetit e bën më pak të domosdoshëm frekuentimin e bibliotekës, të paktën për një pjesë të mirë të publikut.
Megjithëse ka më pak lexues në biblioteka, jeta kulturore duket se ka qenë më intensive për sa i takon institucioneve të tjera kulturore. Kështu, gjatë tremujorit të dytë ka një rritje të ndjeshme të vizitave në muze, monumente kulture dhe parqe arkeologjike. Por, natyrisht kjo i detyrohet më shumë shtimit të numrit të turistëve të huaj, sesa dyndjes së vetë shqiptarëve.
E dukshme është një rritje e numrit të spektatorëve në shfaqjet kulturore dhe teatrore. Sipas INSTAT, numri i spektatorëve në Teatrin Kombëtar është dyfishuar, ndërsa në Teatrin e Operës dhe Baletit është rritur me dy herë e gjysmë ndaj tremujorit të dytë të vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.