Eksodi i bankave në “City” – BQE do të lehtësojë procesin e zhvendosjes
Bankave në Londër, që kërkojnë të rivendosin operacionet në Eurozonë pas Brexit, ka gjasa t’u kursehet një testim i gjatë për hyrjen nga rregullatorët, duke e bërë më të thjeshtë kalimin e vendeve të punës.
Burime për Reuters tregojnë se Banka Qendrore Europiane ka patur shumë kërkesa nga huadhënësit me seli në Britani, që duan të zhvendosen nën mbikëqyrjen e këtij institucioni.
BQE pritet të lehtësojë ekzaminimin e modeleve financiarë që huadhënësit retail dhe bankat e investimeve përdorin për të përcaktuar riskun e mospagesës për një kredi hipotekore apo produkt derivativ, për sa kohë që këto banka janë në përputhje me standardin e rregullatorëve britanikë.
Burimet thonë se një vendim i tillë nga BQE do të vijë kryesisht për arsye praktike, me synim që të minimizohet efekti në sistemin financiar europian pas daljes së Britanisë.
Një lehtësim i tillë do të përshpejtojë planet e rivendosjes së bankave dhe do të përmirësojë perspektivën financiare të Europës, ndërkohë që Frankfurti, Parisi dhe Luksemburgu shihen si destinacionet kryesore për bizneset britanike.
Kryeministrja e Britanisë Theresa May do të përdorë Nenin 50 të traktatit të Lisbonës, që do të shkaktojë zyrtarisht ndarjen nga Bashkimi Europian, më datë 29 Mars. Kjo do të nisë 2 vite negociata, të cilat do të formojnë të ardhmen e Europës dhe Britanisë.
Ndërsa kushtet përfundimtare e të bërit biznes me BE janë ende të paqarta, May e ka bërë të ditur se Britania do të dalë prej tregut të përbashkët europian, gjë që mundëson shitjen e shërbimeve të bankave në City drejt bllokut.
Ekzekutivët e kompanive financiare presin që Brexit të izolojë Londrën, që është aktualisht kryeqendra financare e Europës dhe thonë se kërkojnë njësi brenda Bashkimit Europian, nga ku mund të kenë akses drejt tregut të përbashkët.
Vendimi përfundimtar në dhënien e licencave në Eurozonë ndërmerret nga BQE, që sheh fuqinë e kapitalit të bankave dhe aftësinë e manaxhimit.
Megjithatë, institucioni në Frankfurt pritet të anashkalojë ekzaminimin e menjëhershëm, duke pranuar se kontrollet e Bankës së Anglisë janë të mjaftueshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.