Eksportet bien sërish – Ndikon energjia elektrike, por jo vetëm
Eksportet shqiptare nuk arritën të fitonin kuotë as në muajin prill. Sipas të dhënave nga Instat, eksportet ranë me 0.2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo nuk e përmirëson bilancin progresiv vjetor dhe për katër muajt e parë të vitit eksportet ishin në rënie me 2.3%. Rënia e eksporteve i detyrohet në radhë të parë rënies së prodhimit të energjisë elektrike në vend. Luhatjet në këtë faktor ndikojnë tregtinë e jashtme, por në tërësi edhe prodhimin e brendshëm bruto të vendit. Eksportet e grupit ‘minerale, lëndë djegëse’, energji ranë me 26% krahasuar me katër-mujorin e parë të vitit të kaluar.
Por, megjithatë, plogështia e eksporteve nuk lidhet vetëm me rënien e prodhimit të energjisë. Grupi me peshën kryesore në eksporte, ‘tekstile dhe këpucë’, regjistroi gjithashtu një rënie të lehtë të eksporteve në këtë fillim viti, ashtu si edhe grupi i tretë për nga vlera e eksporteve, ‘materiale ndërtimi dhe metale’. Eksportet janë rritur në grupe që kanë një peshë më të ulët, si ‘ushqime dhe pije’, apo ‘makineri e pajisje’. Rritja në këto dy grupe duket se mund të jetë e lidhur sidomos me zgjerimin e eksporteve drejt Kosovës. Taksa e lartë për mallrat serbe ka bërë që eksportet shqiptare drejt Kosovës të rriten me 52% për katër muajt e parë të vitit 2019.
Ndërkohë, importet për prillin u rritën përsëri, me 8.4% më shumë krahasuar me një vit më parë. Edhe për katër-mujorin, importet janë zgjeruar, me 3.2% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Tendenca e kundërt mes eksporteve dhe importeve e ka thelluar deficitin tregtar të vendit. Në katër muaj, ky deficit arriti në 106 miliardë lekë, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.