Eksportet nuk mjaftojnë! Përmirësimi i kërkesës rrit importet dhe deficitin
Përmirësimi gradual i kërkesës së brendshme po rrit importet dhe po thellon deficitin tregtar të vendit. Sipas Institutit të Statistikave, deficiti tregtar gjatë muajit korrik u rrit me 3.1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Për shtatë muajt e parë të vitit, bilanci i tregtisë së mallrave ishte negativ në vlerën e 182 miliardë lekëve. Deficiti ngelet më i ulët krahasuar me shtatëmujorin e parë të vitit të kaluar, por me një tendencë në rritje.
Në projeksionet e saj, Banka e Shqipërisë pret që kontributi i eksporteve neto në rritjen ekonomike të jetë më i ulët, për shkak të rritjes së pritshme të importeve dhe deficitit. Për korrikun, importet u rritën me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa për gjithë shtatëmujorin, Shqipëria importoi mallra në vlerën e 367 miliardë lekëve, në rritje me 4.7% me bazë vjetore.
Në rritjen e importeve po kontribuojnë sidomos dy grupe, “makineri, pajisje, pjesë këmbimi” dhe lëndë djegëse dhe energji”. Rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve dëshmon një ecuri ende të lartë të investimeve në ekonomi, ndërsa në rritje këtë vit është edhe vlera e importit të karburanteve. Eksportet shënuan përsëri rritje për korrikun, me 7.9% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për shtatëmujorin, vlera totale e eksporteve arriti në 185 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16.8%. Eksportet udhëhiqen bindshëm nga sektori i fasoneve. Grupi “tekstile dhe këpucë” në shtatë muaj eksportoi mallra për vlerën e 75 miliardë lekëve, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.
Por, rritja e eksporteve po mbështetet edhe nga rikthimi i rritjes në grupet “minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”. Pavarësisht rritjes dyshifrore të eksporteve, gjallërimi i importeve po ushtron presion në rritje mbi deficitin tregtar të vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.