Eksportet ranë në vitin 2019 – Deficiti tregtar i vendit u thellua me pothuajse 6%
Pas katër vitesh radhazi në rritje, eksportet shqiptare sapo mbyllën një vit pa shkëlqim. Instituti i Statistikave raporton se për vitin 2019 eksportet e mallrave pësuan rënie me 3.8% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëqë një përmirësim të lehtë në muajin dhjetor, viti 2019 rezultoi negativ, i ndikuar nga rënia e eksporteve të energjisë elektrike, por edhe nga një performancë më e dobët e sektorit fason dhe e materialeve të ndërtimit.
Sipas Instat, grupi më i rëndësishëm“veshje dhe këpucë” regjistroi rënie të eksporteve, për herë të parë pas shumë vitesh.
Eksportet e këtij grupi u tkurrën me 4.4%. Grupi tjetër me peshë të rëndësishme, “materiale ndërtimi dhe metale”, pësoi gjithashtu rënie, me pothuajse 15%. Ndërkohë, grupi “minerale, lëndë djegëse, energji” e kufizoi disi rënien në pjesën e dytë të vitit. Ulja e eksportit të energjisë elektrike u kompensua pjesërisht nga një ecuri në përmirësim e eksporteve të lëndëve të para.
Ndërkohë, importet u rritën për të dytin vit radhazi, me 1.2%. Rritja e tyre u përcaktuar kryesisht nga zgjerimi i importeve të produkteve ushqimore dhe energjisë elektrike.
Në këto kushte, deficiti tregtar i vendit u rrit me pothuajse 6% krahasuar me vitin 2018 dhe arriti vlerën e 350 miliardë lekëve ose 2.85 miliardë eurove.
Keqësimi i bilancit tregtar në mallra është një element që besohet se e ka ndikuar negativisht rritjen ekonomike gjatë vitit 2019. Mbështetur në të dhënat e tre tremujorëve të parë, rritja ka qenë në kufijtë e 3%, ndjeshëm më e ulët krahasuar me vitin 2018.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.