Eksportet shqiptare, FMN: Pa vlerë të shtuar, tekstilet zënë 0.1% të tregut global
Në raportin e plotë të rishikimit të fundit, pra të 9-tin dhe të dhjetin, të programit me vendin tonë, Fondi Monetar Ndërkombëtar jep edhe të dhëna mjaft interesante. Sa i përket konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun e jashtëm theksohet se ka probleme.
Kjo ecuri jo pozitive, vijon fondi, vjen si pasojë e dobësisë strukturore që ka ngadalësuar investimet private si dhe ka dëmtuar prodhimin.
“Rënia e çmimit të lëndëve të para ka dëmtuar eksportet, në një kohë që këto të fundit mbeten të fokusuara në sektorë që kanë një vlerë të shtuar mjaft të vogël”, thuhet në raport.
Një ndër sektorët kryesorë që fokusohet tregtia e jashtme e Shqipërisë është edhe ai i tekstileve dhe këpucëve, i njohur ndryshe si biznesi fason në vendin tonë, e që realisht nuk është burim i një rritje ekonomike të qëndrueshme. Për të ilustruar këtë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, flet me shifra. Ky grafik tregon peshën e tekstileve dhe këpucëve shqiptare në tregun global, të para si eksporte.
Duke pasur parasysh peshën e vendit tonë në ekonominë globale dhe popullsinë jo më të madhe se 3 milionë banorë, pesha e kësaj industrie në tregun global është mjaft e lartë, në thuajse 0.1% të të gjithë tregut botëror.
Pak a shumë, tekstilet shqiptare zënë në tregun botëror një peshë më shumë se 6 herë më të lartë se ajo që ekonomia shqiptare zë në atë globale. Në grafik ilustrohet edhe diferenca mjaft e madhe mes eksportit të tekstileve dhe këpucëve dhe produkteve të tjera që eksporton biznesi shqiptar.
“Në mënyrë që të ruhet konkurrueshmëria dhe të inkurajohen investimet në produkte që kanë një vlerë të shtuar më të madhe, duhen reformat strukturore, duhen mbushur mangësitë infrastrukturore, si dhe të përmirësohen aftësitë profesionale”, nënvizon institucioni me bazë në Washington.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.