Eksportet, tremujori OK – Rritja e importeve zgjeron deficitin tregtar
Eksportet u rritën sërish në muajin mars, duke mbyllur pozitivisht tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet arritën në afro 23 miliardë lekë, në rritje me 17.2% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Për tremujorin e parë të vitit 2017, eksportet prekën vlerën e 61.7 miliardë lekëve, afro 16% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Eksportet po ndjekin tendencën pozitive të tremujorit të fundit të vitit 2016, të udhëhequra gjithnjë nga sektori fason, por, edhe falë një rritje të ndjeshme në grupin “materiale ndërtimi dhe metale”.
Sipas Instat, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë” për tre muajt e parë të këtij viti u rritën me 7.6% me bazë vjetore dhe dominuan në strukturën e eksporteve, me afro 46% të totalit.
Edhe grupi i mineraleve e mbylli tremujorin e parë pozitivisht, megjithë një rënie të lehtë në muajin mars. Importet zgjeruan më tej rritjen gjatë muajit mars, me një vlerë në rritje 14.6% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Për tremujorin e parë të vitit, vlera totale e importeve arriti në 133 miliardë lekë, 7.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e importeve është e shpërndarë në shumicën e grupmallrave, çka është një tregues i përmirësimit të qëndrueshëm të kërkesës së brendshme.
Rritja e lartë e importeve gjatë marsit e ka rritur deficitin tregtar krahasuar me një vit më parë. Për tremujorin, deficiti ishte rreth 71 miliardë lekë, 1 miliard lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.