Eksporti i armëve, 4.7 mln euro – Shqipëria, e parafundit në rajon, pjesa dërrmuese drejt BE-së
Shqipëria ka eksportuar armë nëpër botë gjatë vitit 2016 në vlerën e 4.7 milionë eurove. Por, nga kjo shumë, vetëm 1.28 milionë euro janë para që vijnë nga armët. Pjesa e mbetur i takon licencave.
Në këtë përfundim arrin raporti i eksportit të armëve në rajon i publikuar nga qendra e armëve për Europën juglindore, mbështetur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe i financuar nga Bashkimi Europian.
Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ndërkohë, me përjashtim të Kosovës, Shqipëria është e parafundit në eksporte armësh, duke lënë pas vetëm Maqedoninë, me 2.1 milionë euro eksporte. Për Malin e Zi raportohen 5.1 milionë euro eksporte, ndërkohë që dy vendet e tjera, Bosnje Hercegovina dhe Serbia janë tejet të shkëputura, duke raportuar 407 milionë euro dhe 1 miliardë euro respektivisht.
Kjo bën që Shqipëria të zë vetëm, 0.25% në totalin e eksporteve të rajonit. Nga ana tjetër, eksportet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian zënë 78.7% të totalit, ose e përkthyer në vlerë monetare, 3.7 milionë euro nga 4.7 milionë në total. Këtu rritet pesha e eksporteve të Shqipërisë në krahasim me rajonin, duke u ngjitur në 2.3% kur flitet për eksportet drejt Bashkimit Europian. Madje Shqipëria numëron më shumë eksporte armësh drejt BE-së edhe se Mali i Zi.
Sa i përket eksportit drejt Amerikës së Veriut, Shqipëria rezulton i vetmi vend i rajonit me zero.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.