Eksportohet 81 mijë ton bostan – Klosi: Festat lokale, shtysë agroturizmit
Produkti i bostanit ka gjetur hapësirë në tregjet e huaja dhe këtë vit ka shënuar rekord shitjesh, ku 81 mijë ton janë eksportuar jashtë vendit. Ministri i Turizmit, Blendi Klosi bëri me dije shifrat teksa mori pjesë ne festën lokale të bostanit në Divjakë, e cila mbledh mijëra pushues në disa ditë, të zhvilluar në sheshin kryesor të Parkut Kombëtar të Karavastasë. Prodhues dhe përpunues të bostanit, ekspozuan dhe tregtuan për pushuesit, varietetet e ndryshme të bostanit, gatime me bazë shalqini dhe pjepri, si, lloje të ndryshme sallatash, tortat me bostan, gliko të ndryshme dhe ëmbëlsira të tjera me këtë bazë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se idea e festave të sezonit, është për t’i dhënë një shtysë agroturizmit për të qenë pjesë e zhvillimit turistik.
“Mbase dhe kjo është e bukura e këtij sezoni që shumë bostanë është eksportuar në Suedi dhe shumë suedezë kanë ardhur në Divjakë për të kaluar pushimet, së bashku me të rinjtë e projektit Smile kemi pritur shumë më tepër turistë se vitin e kaluar. Kjo është idea jonë e festave të sezonit, festa të cilat nuk janë vetëm për të krijuar një atmosferë më të mirë për turistët që frekuentojnë plazhet tona, por më shumë se kaq duam që prodhimi vendas të promovohet, duam që tregtarët të shesin më shumë produktet e tyre dhe ajo çfarë ne kemi thënë, agrobiznesi, agroturizmi të jetë pjesë e zhvillimit të këtij sezoni. Jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi gjatë gjithë sezonit nga veriu në jug për të mbështetur kryetarët e bashkive, pushtetin lokal në organizmin e këtyre aktiviteteve të thjeshta, por që i kanë dhënë sezonit një ngjyrë, një buzëqeshje krejt tjetër. Shumë faleminderit studentëve të projektit Smile të cilët janë të palodhur në ushtrimin e aktivitetit të tyre dhe mikpritjes e cila tashmë është bërë një histori shumë e bukur buzëqeshjeje në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Klosi.
Kreu i turizmit gjithashtu ndoqi itinerarin më të ri turistik në zonën e Divjakës, shëtitjen me varka në lagunë. Së bashku me vëzhgimin e zogjve dhe investimin e realizuar nga bashkia e Divjakës për ngritjen e një kulle vrojtimi, itinerari me varka plotëson agjendën e turistëve të huaj që kërkojnë më shumë se turizmin e rërës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.