Ekspozita me $140 mld porosi – Airshow ndërkombëtar, Boeing dhe Airbus kryejnë 900 shitje
Gjigandët e ajrit, Boeing dhe Airbus kanë njohur një rritje të madhe të porosive për avionë gjatë airshow ndërkombëtar të Farnborough, në një kohë që është rritur ndjeshëm kërkesa për avionë, si në transportin e pasagjerëve ashtu edhe në atë të mallrave.
Gjatë eventit 5-ditor, Boeing dhe Airbus kanë marrë porosi për 900 avionë tregtar të cilët kapin në total vlerën e 140 miliardë dollarëve amerikanë. Vetëm Airbus ka marrë 431 porosi. Në vlerë monetare ndërkohë, porositë e Boeing kapin 79 miliardë dollarëve.
Të dhënat e fundit nga tregu tregojnë se, në 20 vitet e ardhshme, tregu i avionëve tregtarë do të kërkojë 30 mijë deri në 40 mijë avionë më shumë. Kina ndërkohë është një ndër tregjet kryesore të këtyre avionëve tregtarë.
Por pavarësisht kësaj, lufta tregtare kërcënon të dëmtojë këtë industri gjigande. Përfaqësuesit e kësaj industrie shprehen të shqetësuar në lidhje me përplasjet më të fundit, sidomos mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që janë edhe dy ekonomitë më të mëdha në botë sot.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.