Elbasan, Policia i sekuestron pasuri të shumta shtetasit – Dyshohet të jenë përfituar nga veprimtari kriminale
Policia e shtetit së fundmi ka njoftuar në bazë të informacioneve që dispononte ka sekuestruar preventive për një sërë pasurish në pronësi të shtetasit E. K, të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Departamenti i Policisë Kriminale dispononte informacione se shtetasi E. K, alias K.K, 37 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar, ka qenë përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në Itali si dhe në veprimtarinë kriminale të simulimit të krimit mashtrime në dëm të kompanive të sigurimit dhe përvetësim të kundërligjshëm të auto veturave, në Pescara, Itali.
Pas grumbullimit, administrimit, analizimit dhe referimit të materialeve të para nga strukturat përkatëse dhe në bashkëpunim me DVP Elbasan, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal Nr. 318 viti 2018 për veprën penale të ”Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit E.K.
Për ketë procedim penal është bashkëpunuar dhe shkëmbyer informacion i vazhdueshëm me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane (INTERFORCA) . Si rezultat i komunikimeve të vazhdueshme me Misionin Ndërlidhës Policisë Italiane, shtetasi E. K, u shpall në kërkim nga ZQK Interpol Tirana, pasi Prokuroria e Pescarës/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar Nr.SPIE 522/2011 datë 11.09.2018 për kryerjen e veprave penale “Organizata kriminale”, “Trafikim i narkotikëve”, “Mashtrimi” dhe “Kallëzim i rremë” parashikuar nga nenet 110, 416, 367, 642 të Kodit Penal Italian dhe neni 73 i Ligjit kundër Drogave.
Më datë 17.10.2018, nga Policia e Elbasanit është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit E. K me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhej se bazuar në aktivitetin kriminal të shtetasit E.K , nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qendrore në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan u kryen hetime intensive në lidhje me:
Transaksionet financiare të dyshimta, kryer në bankat e nivelit të dytë, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme si dhe biznese në emër të tij dhe lidhjeve të tij familjare, të cilat dyshoheshin se burojnë nga aktiviteti kriminal, kryer në Itali.Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pa kontestueshme dhe Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, vendosi sekuestro preventive për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasit E. K dhe familjarëve të tyre.
Në njoftim thuhej se më datën 11.12.2018 oficerët e Njësisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan Nr. 913 date 07.12.2018, për sekuestro preventive për pasuritë:“Një ndërtesë 5-katëshe, me sipërfaqe banimi 1502 m2, në Elbasan; Njësi Shërbimi me sipërfaqe 400 m2, në Elbasan; Një sipërfaqe toke prej 5200 m², në Elbasan; Sekuestro 100% të kuotave të zotëruara nga shtetasja I.K në shoqërinë tregtare “KILA TRANS” sh.p.k.
Policia Shtetit thotë se vlera e blerjes së këtyre pasurive nga shtetasi E. K , të deklaruara në deklaratat noteriale të përpiluara tek noteri, kap shumën prej 70. 819.000 lekë të reja. Vlera aktuale e tregut e këtyre pasurive është shumë herë më e madhe. Gjithashtu po këtij personi nga njësia hetimore vendore në DVP Elbasan në muajin Tetor 2018 në bashkëpunim me Prokurorinë i janë sekuestruar edhe 39 makina luksoze dhe 6 moto mjete në pika shitje të mjeteve të dyshuara se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale. E.K është drejtuesi i një grupi kriminal të skeduar nga “Forca e Ligjit”.
Policia njofton se po vazhdon hetimet për të verifikuar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme si dhe llogari bankare të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.