“Eliminim i barrierave tregtare”, Bushati takim me Pacollin: Së shpejti mbledhja e dy qeverive. Pacolli propozon Korçën
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka kryer një takim me homologun nga Kosova, Behgjet Pacolli, ku kryefjalë ishte thellimi i bashkëpunimit mes dy qeverive dhe eliminimi i barrierave tregtare
“Kosova për ne është partner strategjik dhe duhet ta thellojmë këtë marrëdhënie jo thjesht për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mundësisht brenda këtij viti, por eliminimin e të gjitha barrierave që ekzistojnë në fushën tregtare. Kemi diskutuar edhe për sa i përket nevojës për racionalizimin e forcave, burimeve njerëzore në përfaqësimin diplomatik.
Pacolli në fjalën e tij, tha se shpreson që në të ardhmen të dyja ministritë të punojnë me qasje të përbashkët.
“Duhet të kemi qasje të përbashkët në sfidat e ardhshme si për Shqipërinë, por edhe më të mëdha për Kosovën. Në të ardhmen besoj shumë se ne do të punojmë së bashku jo si dy ministri të ndara, por qasja do të jetë e përbashkët. Ne sot biseduam që sa më shpejt të vazhdojmë traditën me institucione diplomatike të përbashkëta. Lëvizja e lirë është një parim që gjithmonë është sjellë në vëmendje time dhe me qeverinë Rama dhe Haradinaj do ta implementojmë pikë për pikë.”
Sa i përket mbledhjes së dy qeverive, ministri i jashtëm i Kosovës tha së do të kryhet shumë shpejt, ndërsa ai vetë propozon si vend takimi: Korçën.
“Do të riaktivizojmë edhe takimet tona qeveritare. Shumë shpejt do ta dini ku do të jetë takimi i parë. Unë propozova Korçën, pasi që e kam shumë për zemër”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.