Elon Musk ‘në luftë’ me shtetin mbi taksat – Ja pse ka shitur rreth 6.5 milion dollarë aksione deri më tani!
Senatorja Elizabeth Warren dhe CEO i Tesla, Elon Musk janë në mes të një lufte në shkallë të gjerë në Twitter. Warren e quajti personin më të pasur në botë një përfitues për pagimin e taksave mbi të ardhurat prej 0 dollarë në vitet e fundit. Musk u përgjigj me një seri sulmesh personale, duke e quajtur Warren “Senator Karen” dhe duke pretenduar se fatura e tij e tatimit mbi të ardhurat do të jetë më e madhja në historinë e SHBA. Ai mund të ketë të drejtë – të paktën për faturën e tij tatimore të vitit 2021.
Warren ka mbrojtur prej kohësh rritjen e taksave për të pasurit duke vendosur një taksë mbi asetet e amerikanëve më të pasur, dhe jo vetëm të ardhurat e tyre. Pasi Musk u shpall Personi i Vitit nga Time Magazine, Warren u ankua se duhej të paguante më shumë taksa.
Sipas vlerësimit të miliarderëve në kohë reale të Forbes, Musk vlerësohet të ketë një pasuri rreth 251 miliardë dollarë. Por një hetim nga ProPublica raportoi se në vitin 2018, ai dhe miliarderë të tjerë paguanin zero taksa. Atë vit, ai kishte pak të ardhura të tatueshme, duke qenë se ai nuk shiti asnjë aksion dhe nuk mori asnjë rrogë në para ose bonus.
Pse Musk do të paguajë të paktën 7.6 miliardë dollarë taksa këtë vit?!
Por Musk do të përballet me një faturë të madhe tatimore këtë vit – një fakt që ai e vuri në dukje në një përgjigje tjetër në Twitter për Warren. Musk ka ushtruar opsionet e aksioneve që iu dhanë si kompensim në 2012-ën, opsione që iu dhanë pasi Tesla goditi disa objektiva financiare dhe operacionale të paracaktuara gjatë 6 viteve në vijim. Këto opsione do të skadojnë vitin e ardhshëm dhe nëse nuk i ushtron deri në gusht, do t’i humbasë.
Megjithëse Musk nuk ka paguar taksa mbi vlerën e tyre deri më tani, ai do të duhet të paguajë së shpejti — dhe fatura tatimore do të jetë e konsiderueshme. Kjo për shkak se sapo ai të ushtrojë këto opsione, vlera e aksioneve që ai bleu, minus çmimin shumë nominal të ushtrimit prej 6,24 dollarë për aksion, llogariten si të ardhura. Dhe fatura e tij për ato aksione do të jetë në shkallën më të lartë të tatimit mbi të ardhurat federale prej 37%, plus 3.8% të tjera taksë investimi neto mbi të, së bashku me një nivel të pacaktuar të tatimit mbi të ardhurat shtetërore.
Musk mund të kishte pritur vitin e ardhshëm për t’i përdorur këto opsione. Por nëse demokratët janë në gjendje të miratojnë projekt-ligjin e Build Back Better, kjo mund të rrisë ndjeshëm faturën e taksave të tij federale. Edhe pse miratimi i projekt-ligjit nuk është aspak i sigurt, ai do të rriste taksën mbi llojin e tregtisë që Musk bënte — ndoshta me 8 pikë përqindjeje mbi atë që paguan tani. Kjo është ndoshta arsyeja pse ai ka ushtruar opsionet më herët se sa duhej.
Deri më tani, Musk ka ushtruar gati 15 milionë nga 22.9 milionë opsionet që duhej të skadonin. Dhe vlera e këtyre aksioneve të fituara rishtazi ishte afërsisht 15.8 miliardë dollarë, që do të thotë se ai përballet me një faturë tatimore federale prej 6.4 miliardë dollarësh. Ai ka shitur 6.5 milionë nga këto aksione të reja të blera për të paguar detyrimin e mbajtjes në burim për ushtrimin e opsioneve, sipas denoncimeve që ai bëri në Komisionin e Letrave me Vlerë në lidhje me tregtimin e aksioneve të tij.
Ai ka ushtruar opsione dhe ka shitur aksione çdo javë që nga fillimi i nëntorit dhe ndoshta do të ushtrojë të paktën 4 milionë opsione të tjera, nëse jo më shumë, para fundit të vitit. Kjo mund të rrisë faturën e tij tatimore për vitin 2020 me gati 2 miliardë dollarë më shumë.
Muajin e kaluar, Musk shiti gjithashtu 5.4 milionë aksione që kishte në mirëbesim, shumica e të cilave i ka mbajtur që nga oferta fillestare publike e vitit 2010. Këto aksione do të tatohen me një normë më të ulët të fitimit afatgjatë të kapitalit prej 20%, kështu që ai do të përballet me një faturë shtesë tatimore federale prej rreth 1.2 miliardë dollarë më shumë për këto shitje.
Pra, fatura e tij e taksave federale deri më sot për vitin 2021 qëndron në 7.6 miliardë dollarë, me një shans që mund të rritet në gati 10 miliardë dollarë ose më shumë deri në fund të vitit. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.