Emetimet e CO2 rriten teksa konsumatorët preferojnë makinat me benzinë ndaj naftës
Gjatë vitit 2017 u vu re një lidhje mes dy trendëve në industrinë e automjeteve në Europë: emetimet e dioksidit të karbonit në ajër u rritën, ndërsa po ashtu u rrit edhe numri i automjeteve të reja me benzinë që regjistrohen në treg.
Makinat me benzinë u bënë vjet lloji më i shitur i automjeteve në Europë, duke tejkaluar makinat me naftë për herë të parë që prej vitit 2009. Përqindja në treg e makinave me naftë ra nga 29.9% në 44.8%.
Europa dhe dashuria e humbur për motorët diesel – Trekëndëshi mes industrisë, qeverive dhe konsumatorëve
Kjo është padyshim një nga arsyet pse emetimet mesatare të CO2 u rritën me 0.4%, në një kohë kur shtetet po luftojnë për të arritur standardet e vendosura për ndotjen. Kjo është rritja më e ndjeshme e emetimeve, që kur ato nisën të mateshin në vitin 2010.
Një faktor që mund të kishte ndalur rritjen e emetimeve do të ishte shitja e sa më shumë makinave elektrike ose hibride, por në treg ato vazhdojnë të zënë një vend minimal, 1.5% të shitjeve të reja.
Duke qenë se rritja e emetimeve preku të gjithë bllokun, përfshirë vende si Gjermania (+0.1%), Mbretëria e Bashkuar (+0.8%) dhe Franca (+0.6%), pritet që këto shtete të nisin të marrin masa për përhapjen më të shpejtë të automjeteve elektrike. Masa të tilla mund të përfshijnë incentiva për taksat apo shtimin e stacioneve të karikimit në mbarë vendin.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.