Emigracioni, Rama: Kemi fituar më shumë se ç’kemi humbur – Program strehimi për çiftet e reja
Fenomeni i emigracionit në Shqipëri dhe sfidat e tij, ka qenë tema e konferencës së organizuar nga INSTAT, ku morën pjesë edhe kryeministri Rama, ambasadorja gjermane Susanne Schütz dhe përfaqësues të GIZ.
Sipas Ramës, debati për emigracionin është i fryrë nga hiperbolat, ndërkohë që ky është një fenomen normal që lidhet me punësimin. Kryeministri mori si shembuj shtete anëtare të BE si Kroacia, Polonia dhe Rumania, por edhe jugun e Italisë, ku çdo vit largohen mijëra njerëz për të kërkuar punë brenda tregut të lirë të punës në Europë.
“Janë 84% e emigrantëve të cilët e lidhin me mundësinë për punësim lëvizjen e tyre drejt vendeve të tjera. Një nga rastet më tipike është rasti i largimit të mjekëve specialistë drejt Gjermanisë”, u shpreh Rama.
Gjithsesi, sipas kryeministrit, emigracioni ndër vite ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e vendit, e cila pa remitancat dhe pa investimet e emigrantëve do ta kishte të pamundur të ishte në këmbë.
“Çka ne kemi fituar si vend në të gjitha këto vite të vështira ndryshimesh drastike, kanë qenë shumë më të mëdha se ato që kemi humbur, falë emigracionit, falë atyre që kanë emigruar, jo vetëm në funksion të ekonomisë, por mbi të gjitha në funksion të dijes, në funksion të eksperiencave dhe kulturave”, tha Rama.
Rama u shpreh se përpjekjet e qeverisë po përqendrohen në të kuptuarit se si mund të favorizohet qëndrimi në Shqipëri dhe kërkimi i karrierës në vend, përmes programeve si ai i bonusit për mjekët specialistë në rrethe, programet e trajnimit dhe një program i ri i strehimit, i cili është në fazë hartimi.
“Ne jemi duke punuar për një program të ri strehimi, në funksion të çifteve të reja. Besojmë se ka një mundësi të madhe që duke adresuar siç duhet nevojën e çifteve të reja për strehim dhe duke u krijuar të rinjve një mundësi reale strehimi, ne ta bëjmë qëndrimin e tyre në vend shumë më të mundshëm dhe tundimin për t’u larguar, qoftë dhe për faktin se s’mund të kenë një shtëpi të tyren, shumë më të ulët. Nuk është një shpikje. Është një masë kombëtare që vende të tjera e kanë bërë përpara nesh, me shumë sukses”, tha kryeministri.
Organizimi i konferencës përkoi me ditën që shënon 30-vjetorin e bashkëpunimit të shtetit gjerman me atë shqiptar. Ambasadorja Susanne Schütz shprehu edhe njëherë mbështetjen e Gjermanisë në përpjekjet e Shqipërisë për të arritur standardet europiane.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.