Emigrantët “ndajnë” Suedinë – Nxisin ekonominë, por edhe ndjenjat populiste
Ekonomia e Suedisë po ecën me ritme bindshëm më të larta se vendet e tjera të Bashkimit europian, dhe duket se një ndër shtysat kryesore është emigracioni. Suedia i ka integruar më së miri të ardhurit nga vendet e tjera dhe tashmë vendi me 10 milionë banorë po njeh një boom ekonomik. Por pavarësisht shifrave, ka edhe nga ata që i kritikojnë politikat e qeverisë për emigrantët, e madje kjo çështje është në qendër të fushatës elektorale që do të kurorëzohet me zgjedhjet e përgjithshme të 9 Shtatorit.
Madje, demokratët suedezë, një parti që kërkon masa më të ashpra për emigrantët projektohet të dalë parti e parë nga këto zgjedhje. Suedia ka përthithur rreth 600 mijë emigrantë në 5 vitet e fundit, të cilët kanë pasur kontributin e tyre të padiskutueshëm në ekonominë 540 miliardë dollarëshe. Rritja ekonomike është përshpejtuar në më shumë se 3% gjatë dy tremujorëve të parë të vitit, ndërkohë që mesatarja e Eurozonës mezi arrin në 2%. Suedia ka integruar në shoqërinë e saj kryesisht profesionistë, sidomos në sektorin e kujdesit shëndetësor.
Papunësia te të huajt fiksohet në 20%, ndërkohë që ajo e përgjithshme fiksohet në 6.8%. Nga ana tjetër, një studim i fundit që tregon se kosto e çdo suedezi për refugjatët fiksohet në 8000 dollarë në vit, i ka hedhur benzinë zjarrit, me populistët që janë hedhur në `sulm` .
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.