Emigrimi, gjeneratori i “zbrazjes” – Shqipëria, i vetmi shtet në Europë që po pakësohet për shkak të largimeve
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që rezulton me popullsi në rënie, për shkak të emigrimit. Këtë gjë e konfirmojnë të dhënat e përditësuara të Eurostat, që i referohen popullsisë së 37 vendeve të kontinentit të vjetër deri më 1 janar të këtij viti.
Nga këto të dhëna, rezulton se, vetëm 11 shtete nga 37 kanë një popullsi në rënie në krahasim me vitin paraardhës. Por, ndërkohë që për 10 nga këto shtete, rritja natyrore e popullsisë është negative, pra ka më pak lindje se vdekje, për Shqipërinë nuk është kështu.
Kjo gjë tregon qartë se, rënia e popullsisë në vetëm 2,870,000 njerëz është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e largimit të shqiptarëve nga vendi. Rënia vjetore fiksohet në 2.2%. Kjo është norma e tretë më e ulët në Europë, pas Portugalisë dhe Italisë.
Nga ana e kundërt ndërkohë, emigrimi hyrës ka ndihmuar në rritjen e popullsisë në disa vende të Europës, si Suedia, deri në 12% apo edhe në uljen e impaktit të rënies së numrit të lindjeve në pjesën tjetër të Europës. Projeksionet demografike në kontinentin e vjetër janë alarmante dhe kohëve të fundit as Shqipëria nuk i ka shpëtuar dot këtij fenomeni.
Veç emigrimit, tashmë është faktuar edhe një rënie e konsiderueshme e numrit të lindjeve gjë që sinjalizon se në vitet e ardhshme, pa zgjidhur këtë, do të ketë një rënie të ndjeshme të popullsisë së vendit tonë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.