Ëndrra amerikane! Kush është krahu “i djathtë” i Biden në Shëndetësi, i diplomuari i parë në familjen emigrante
“Krahu i djathtë” i presidentit të zgjedhur Biden për sektori e Shëndetit Publik do të jetë një person me një të kaluar sa të vështirë, aq edhe motivuese. Xavier Becerra është lindur në 26 janar 1958 në Sacramento, Kaliforni dhe është djali i dy emigrantëve nga Jalisco, Meksikë.
Si fëmijë, Becerra u rrit në një apartament me një dhomë, sëbashku me 3 motrat e tij. Shkollën e Mesme e kreu në Sacramento, ku u diplomua në vitin 1976. Më tej, studioi në Universitetin e Salamanca-s, po në të njëjtin vend, nga 1978 – 1979, përpara se të fillonte studimet për Ekonomik në Universitetin e Stanfordit në vitin 1980, duke u bërë kështu personi i parë në familjen e tij me shkollë të lartë.
Më tej, Becerra mori gradën jurist nga Shkolla e Drejtësisë në Stanford në 1984.
Kandidati për Sekretar të Shëndetit filloi karrierën e tij si avokat, duke punuar në çështje që përfshinin individë që kishin çrregullime mendore për Korporatën e Ndihmës Ligjore në Massachusetts.
Po ashtu, i nominuari i Biden punoi si asistent administrativ për Senatorin Shtetëror të Kalifornisë, Art Torres, në vitin 1986. Ai shërbeu si Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë së Kalifornisë, nën Prokurorin e Përgjithshëm, John Van de Kamp, nga viti 1987 deri në vitin 1990.
Becerra shërbeu një mandat në Asamblenë e Shtetit, duke përfaqësuar rrethin e 59-të të Kalifornisë, në periudhën 1990 – 1992.
Më tej njihet për karrierën e tij politike, ndërsa në momentin e përzgjedhjes së Biden, roli aktual ishte si Prokuror i Përgjithshëm i Kalifornisë.
Becerra, i cili ishte gjithashtu në shqyrtim për role të tjera në kabinetin e Biden, doli si një “pararojë” për të drejtuar Shëndetin Publik dhe Shërbimet Sociale, e më tej, vetë Biden i ofroi atij punën, sipas prestigjiozes amerikane, Politico.
62 vjeçari i nominuar fitoi popullaritetin kombëtar në vitet e fundit, për mbikëqyrjen e morisë së betejave ligjore të Kalifornisë, kundër administratës së Presidentit Donald Trump, si dhe mbështetjen e mbrojtjes së shteteve “blu”, kundër një procesi gjyqësor të Partisë Republikane që synonte eliminimin e “Obamacare”.
Becerra, gjithashtu veteran i Uashingtonit, kaloi gati 25 vjet në Dhomën Amerikane të Përfaqësuesve, duke arritur kulmin në një periudhë si Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat.
Megjithatë, ndryshe nga pretenduesit e mëparshëm për të qenë sekretar të Shëndetit Publik të kabinetit Biden, Becerra nuk ka mbajtur asnjë pozicion të lartë të politikës shëndetësore më parë.
Nëse konfirmohet, Becerra do të jetë latini i parë që drejton departamentin e shëndetit – një rol që do ta fusë atë në “luftë” për të ofruar një përgjigje pandemike, e cila do të përcaktojë trajektoren e katër viteve të ardhshme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.