Energjia diellore hapësinore është gjithnjë e më shumë në modë – Si funksionon dhe në çfarë pike jemi?!
Ideja për të kapur energjinë diellore jashtë atmosferës së Tokës dhe më pas për ta përcjellë atë në Tokë nuk është e re. Konstantin Tsiolkovsky, babai i astronautikës sovjetike, po fliste tashmë për të një shekull më parë. Kohët e fundit, janë kryer disa studime për të vlerësuar, të paktën në letër, fizibilitetin e shfrytëzimit të energjisë diellore hapësinore: Shoqëria Kombëtare e Hapësirës (një nga organizatat private më të rëndësishme për zhvillimin e kërkimit hapësinor për qëllime bamirësie për njerëzimin), Agjencia Europiane e Hapësirës dhe gjithashtu Agjencia Hapësinore Japoneze.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton gjithashtu një projekt të ngjashëm, që vlerësohet të kushtojë rreth 16 miliardë paund. Jovana Radulovic, një inxhiniere mekanike e specializuar në sistemet e energjisë së rinovueshme, e shpjegoi këtë në The Conversation.
Parimi i funksionimit të diellit hapësinor është relativisht i thjeshtë në vetvete. Ai përfshin kapjen e energjisë diellore direkt në hapësirë, përmes një rrjeti panelesh fotovoltaike, dhe transmetimin me valë të energjisë së marrë në Tokë në formën e valëve të radios. Antena të veçanta, të quajtura rectenna, do t’i merrnin këto valë për t’i shndërruar në energji elektrike që do të futeshin drejtpërdrejt në rrjetin elektrik.
Pse është e dobishme? Po të kemi parasysh se rreth 1.367 W/m2 mund të mblidhen 24 orë në ditë jashtë atmosferës së tokës, ndërsa në sipërfaqen e tokës, duke marrë parasysh ndërrimin e ditës me natën, praninë e reve dhe elementëve të tjerë, kjo vlerë bie në 50. -100 W / m2, atëherë mund të kemi një ide se pse ka kaq shumë interes për diellin hapësinor.
Ka edhe disa disavantazhe: më e rëndësishmja është kostoja e ndërtimit të sistemit. Për të ndërtuar një stacion hapësinor diellor do të nevojiten qindra misione hapësinore që do të kenë objektiv transportin e materialit të nevojshëm. Por nëse e gjithë kjo dukej si një utopi deri në njëzet vjet më parë, tani, me përsosjen e raketave të ripërdorshme dhe përdorimin e robotikës hapësinore, ideja duket e realizueshme. Vlen gjithashtu të përmendet se kohët e fundit është bërë përparim i dukshëm në fushën e transmetimit të energjisë pa tel në distanca të gjata.
Me këto ambiente, pra, Mbretëria e Bashkuar do të dëshironte të ndërtonte një stacion diellor me diametër 1.7 kilometra, i cili në Tokë do të kishte një peshë rreth 2000 tonë, për të mbledhur energjinë diellore dhe për ta dërguar në planetin tonë, ku do të kapej nga një sistem rectenne i cili duhet të zërë një sipërfaqe prej disa kilometrash katrorë. Ky stacion i parë mund të furnizojë deri në 2 GW energji në MB, e cila aktualisht ka një kapacitet prodhimi të energjisë elektrike prej rreth 76 GW. Kthimi ekonomik ndoshta nuk do të ishte i menjëhershëm, por do të kishte efekte pozitive afatgjata dhe, nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të arrihet edhe një reduktim i emetimeve të dioksidit të karbonit. FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.