Energjia, si zgjidhet furnizuesi? – ERE ka licencuar 36 kompani, çmimi vendoset mes palëve
Me liberalizimin e tregut të energjisë dhe shkëputjen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bizneset e lidhur në tensionit 35 kV dhe ata të lidhur në tensionin 20 kV do të duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre. Kjo do të thotë se ata do të duhet të lidhin një kontratë shërbimi me një nga kompanitë e licencuara nga Enti Rregullator i Energjisë në veprimtarinë e furnizimit me energji elektrike.
Referuar të dhënave të fundit nga ERE, aktualisht janë 36 kompani të licencuara për të ushtruar këtë aktivitet, ndërkohë që një prej tyre është edhe Furnizuesi i Tregut të Lirë, një prej kompanive të krijuara nga ndarja e OSHEE-së. Bizneset do të duhet të zgjedhin një prej kompanive furnizuese, me të cilën do të lidhin një kontratë ku ndër të tjera do të vendosin edhe çmimi me të cilin do të sigurohet energjia.
Kjo pasi sipas legjislacionit në fuqi furnizimi me energji elektrike i klientëve fundorë bëhet me çmime të parregulluara, i cili përcaktohet në bazë të kontratave të negociuara ndërmjet furnizuesit dhe klientit fundor.
Kontrata, përveç kushteve të përcaktuara në legjislacionin civil, mund të përmbajë edhe kushte të tjera në varësi të karakterit specifik dhe llojit të shërbimit të ofruar nga furnizuesi sikurse është koha e lidhjes në rrjet të klientit, nivelet e cilësisë së shërbimit të ofruar; parashikimet lidhur me kompensimin dhe rimbursimin, në rast mospërmbushjeje të nivelit të cilësisë së shërbimit të kontraktuar, duke përfshirë këtu edhe faturimin e pasaktë dhe të vonuar.
Po ashtu, kontrata duhet të përmbajë dhe mënyrën e njoftimit të ndryshimit të çmimit dhe të kushteve të tjera të furnizimit me energji elektrike dhe mënyrën e trajtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.
Ndërkaq, kontrata nuk duhet të përmbajë kushte që kufizojnë të drejtën e klientit apo që përcaktojnë tarifa financiare për të ndryshuar furnizuesin e energjisë elektrike.
Për bizneset e lidhur në tensionin 35 kV ky proces duhet të kryhet brenda datës 17 mars, ndërsa për klientët në 20 kV, jo më vonë se data 21 shtator e këtij viti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.