Epidemia e fruthit, 1367 raste – ISHP: Të vaksinohen fëmijët dhe të lindurit në vitet ‘80-‘90, problem QSUT
1367 persona u prekën nga fruthi gjatë vitit 2018, ndërkohë që edhe për vitin 2019 janë shënuar 51 raste “.
Të dhënat u raportuan nga shefja e Sëmundjeve Infektive, pranë Institutit të Shëndetit Publik Silva Bino, gjatë një seancë dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë, e cila tha se shkak për këtë situatë është bërë mbulesa e ulët vaksinale.
Bino u bëri apel nënave të vaksinojnë fëmijët e tyre, pasi ajo nuk ka lidhje me autizmin si dhe të gjithë të lindurve në vitet 1980-1990, duke qenë se në atë kohë janë shënuar probleme me zinxhirin ftohës që bën ruajtjen e vaksinave.
Një tjetër arsye për përhapjen e fruthit lidhet me frekuentimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndonëse në kryeqytet ofrojnë shërbim 24 orësh dhe 4 qendra shëndetësore.
Ndërkaq, deputetët e komisionit kërkuan sensibilizim të mëtejshëm në drejtim të vaksinimeve shtesë, përveç fëmijëve, sikurse parashikohet në kalendarin e vaksinimit.
Gjithashtu, u kërkua që frekuentimi i QSUT-së të mos lihet në dorë të prindërve, por nëse është e nevojshme të ndalohet hyrja e tyre në urgjencën pediatrike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.