Epidemia e fruthit – ISHP: Mjekët të rrisin survejancën, vaksina falas
Mjekët pediatër dhe infeksionistë duhet të rrisin survejancën ndaj sindromës së fruthit “rash makulopapular me temperaturë”. Ky është apeli i Institutit të Shëndetit Publik pas shpërthimeve epidemike në disa shtete të Evropës dhe Ballkanit, duke lënë të kuptohet se rreziku është prezent edhe në vendin tonë.
Sipas buletinit javor të sëmundshmërisë infektive, për javën e 30-të, që përkon me fundin e muajit korrik, 4 raste të dyshuara u raportuan nga Rrethi i Tiranës dhe 1 nga Rrethi i Fierit, por nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, rezultuan se ato ishin varicelë.
Paralelisht, Instituti i Shëndetit Publik është duke rivaksinuar për këtë sëmundje infektive, të gjithë personat e lindur në vitet 1980-1990. Shkak për këtë fushatë është bërë mosfunksionimi i zinxhirit ftohës në atë kohë, që bën ruajtjen e vaksinave.
Ndërkohë që, tashmë Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion vaksinat, në çdo qendër shëndetësore dhe kushdo që është i interesuar mund ta ribëjë. Ajo ofrohet falas, ndonëse Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë dhënë informacione mbi mbulimin e kostos për blerjen e saj.
Po ashtu, nuk është bërë i ditur çmimi i vaksinës dhe nëse ai është përballuar nga buxheti i shtetit apo donacione të jashtme.
Fruthi është një infeksion serioz që mund të çojë në komplikacione një të tretën e njerëzve të prekur, duke shkaktuar edhe dëmtime të përhershme të trurit. Nëse nuk pasohet me komplikacione, sëmundja shërohet për 10 ditë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.