Epidemiologu suedez e pranon: “Bëra gabim, nëse do kthehesha mbrapa në kohë do të rekomandoja kufizime”
Shkencëtari që qëndron pas strategjisë së diskutueshme anti-koronavirus të Suedisë, ka thënë se do të rekomandonte kufizime më të forta për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit nëse do dinte më parë atë që di tani për sëmundjen.
Anders Tegnell, epidemiologu shtetëror i Suedisë, tha për një radio vendase të mërkurën, se ndërsa vendi do të kishte zbatuar kufizime më të ashpra seç ka tani, kufizimet gjithsesi nuk do të kishin qenë aq të rrepta sa në vendet e tjera.
“Nëse do të hasnim në të njëjtën sëmundje me të njëjtën njohuri që kemi sot, unë mendoj se përgjigjja jonë do të binte diku midis asaj që bëri Suedia dhe asaj që ka bërë pjesa tjetër e botës,” tha Tegnell, sipas Bloomberg. “Ekziston mundësia për përmirësim në atë që kemi bërë në Suedi “, shtoi ai.
Shkalla e vdekjes së Suedisë është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe është ndër më të lartat në botë.
Që nga e mërkura, vendi ka regjistruar 40.803 infeksione koronavirus dhe mbi 4,400 vdekje.
D.B – SCAN
Burimi: Business Insider
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.