ERE, 18 mln lekë për bileta avioni – Hapet procedura e prokurimit, kontrata 24 muaj
Enti Rregullator i Energjisë do të shpenzojë 18 milionë lekë për blerje biletash udhëtimi me avion. Agjencia e Prokurimit Publik ka hapur procedurën tenderuese, ndërkohë që operatorët e interesuar mund të paraqesin ofertat e tyre deri në datën 13 nëntor.
Pas depozitimit të kërkesave, marrëveshja kuadër do të lidhet me 3 operatorë ekonomikë të kualifikuar e të renditur të parët.
Ndërkohë që, në varësi të ofertave, ERE do të lidhë marrëveshje me ata operatorë që i kanë përmbushur të gjitha kriteret, me kusht që ato të jenë të paktën 2.
Fondi limit i vënë në dipsozicion parashikon shpenzime për bileta avioni për një periudhë 24-mujore, ndërkohë që Enti në mënyrë periodike do të evidentojë kërkesat përkatëse, që do të bazohen në planin e aktiviteteve të ERE-s.
Nga ana tjetër, procesi i minikonkurrencës për lidhjen e kontratës do të zhvillohet sa herë që ky institucion do të ketë nevojë dhe të dhëna të mjaftueshme për blerje biletash. Së fundmi, Enti Rregullator i Energjisë është përfshirë në një konflikt me Kontrollin e Lartë të Shtetit për shkak të auditimit.
Sipas KLSH-së, Enti ka refuzuar 2 herë të jetë objekt i këtij procesi, por sipas ERE, kjo është e jashtëligjshme, pasi ky institucion nuk merr asnjë financim nga buxheti i shtetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.