ERE me “dorë të hekurt” – Nis procedurat për heqje licence ndaj subjekteve që s’kanë kryer pagesat rregullatore
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për heqjen e licencave ndaj atyre subjekteve që nuk kanë likujduar pagesat rregullatore ndaj këtij institucioni. Sipas legjislacionit të fuqi, kjo është masa më rëndë në rast të shkeljes së këtij detyrimi, ndërkohë që vendimi erdhi pas një hetimi administrativ në ndërmarrë nga ky dikaster.
Anëtarët e Bordit të ERE-s, e konsideruan këtë vendim si të drejtë, në kushtet kur subjektet duhet të jenë të vetëdijshëm për detyrimet që ata kanë në drejtim të pagesave rregullatore.
Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2021 ERE synon të mbledhë rreth 208 mln lekë nga pagesat rregullatore nga subjektet e licencuar në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit natyror. Në total numërohen 304 të licencuar, të cilët janë të detyruar të bëjnë pagesat rregullatore, ndërkohë që përllogaritja e pagesave për secilin subjekt është bërë mbi të ardhurat e realizuara nga aktiviteti i licencuar. Në rast të mungesës së pasqyrave financiare janë përdorur nivelet e pagesave rregullatore të vitit 2020. Këto subjekte duhet të kryenin pagesat ndaj ERE, deri në datë 29 korrik 2021.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.