ERE miraton investimet e planifikuara të “Albgaz” – Ja projektet prioritare për 10 vitet e ardhshme
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar në mbledhjen e fundit planin e investimeve të vitit 2018 të shoqërisë “Albgaz” sh.a., si dhe planin 10-vjeçar të zhvillimit të rrjetit të shoqërisë me kapital shtetëror.
Këtë vit, Albgaz synon të investojë mbi 150 milionë lekë, nga të cilat 142 milionë lekë do të financohen në formën e granteve nga marrëveshja me shoqërinë TAP AG.
Pjesa më e madhe e fondit të investimeve do të shkojë për rikonstruksionin e zyrave të Albgaz në Fier dhe ndërtimin e dy magazinave me konstrukt metalik. 12 milionë lekë do të shkojnë për remont kapital të makinerive dhe automjeve, ku për blerjen e këtyre të fundit parashikohet një investim prej 10 milionë lekësh.
Në drejtim të ndërtimit dhe montimit të tubacioneve do të shkojnë 17 milionë lekë, të shpërndarë për tubacionet e linjës Fier-Frakull, Ballsh-Kash dhe Ballsh-Fier për një gjatësi totale prej 400 metrash. Pjesa tjetër e fondit do të shkojë për pajisje dhe orendi, si dhe për programe dhe pajisje kompjuterike.
Sa i takon planit 10-vjeçar të investimeve në rrjet, projektet e zgjedhura janë të bazuara në masterplanin e gazifikimit të vendit.
Si do të shpërndahet gazi i TAP në Shqipëri – Fieri dhe Vlora përfitojnë të parat. Në Shkodër dhe Kosovë pas 2030-ës
Për periudhën 2019-2020 parashikohet një investim prej 44 milionë lekësh, ku 14 milionë lekë do të shkojnë për projektin prioritar të gazsjellësit Vlorë-Fier me gjatësi 39.9 kilometra dhe 30 milionë lekë do të shkojnë për mirëmbajtjen dhe ripërtëritjen e tubacioneve ekzistues, të ngritur që në vitin 1971.
Sa i takon periudhës 2021-2027, parashikohet një investim prej 19.5 milionë eurosh. 11.8 milionë euro do të shkojnë për hartimin dhe zbatimin e projektit prioritar të gazsjellësit Fier-Ballsh me gjatësi 39 kilometra. Një shumë prej 5.2 milionë eurosh është planifikuar të investohet për hartimin dhe zbatimin e gazsjellësit Tiranë-Durrës, ndërsa 2.5 milionë euro do të shkojnë për Stacionin e Matjes dhe Reduktimit të Presionit në Korçë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.