Euro 2020/ Gjermania i bën thirrje Britanisë dhe UEFA-s që të zvogëlojnë turmat në stadiume. Shkak varianti Delta
Ministri i Brendshëm dhe ASporteve i Gjermanisë, Horst Seehofer, i ka bërë thirrje qeverisë britanike dhe UEFA-s të shkurtojnë numrin e mbështetësve të lejuar në stadiumin e Wembley për ndeshjet e mbetura Euro 2020, për shkak të përhapjes në rritje të variantit të koronavirusit Delta.
Ndërhyrja e tij erdhi disa orë para ndeshjes Angli-Gjermani, që u luajt para rreth 45,000 spektatorëve, rreth 50% të kapacitetit të stadiumit. Ky numër është planifikuar të rritet në 75% të kapacitetit për gjysmëfinale dhe finale, me rreth 60,000 tifozë.
Në Gjermani, ku Allianz Arena e Mynihut ka pritur edhe ndeshje të Euro 2020, kapaciteti është kufizuar në 20%, ose rreth 14,000 mbështetës. Seehofer thotë se rregulli 20% duhet të veprojë si pikë referimi për të gjitha ndeshjet e tjera.
Britania e Madhe po përjeton një ringjallje të infeksioneve të koronavirusit për shkak të variantit Delta, zbuluar për herë të parë në Indi.
Gjermania e ka klasifikuar Britaninë si një zonë rreziku e prekur nga variantet, duke ulur në minimum mundësinë e udhëtimit midis dy vendeve. Qytetarët ose banorët gjermanë në vend që kthehen nga Britania duhet të kryejnë një karantinë 14-ditore, duke përfshirë njerëzit të vaksinuar plotësisht.
Kancelarja Angela Merkel ka shprehur përsëri shqetësimin e saj mbi rrezikun që paraqet turneu Euro në drejtim të përhapjes së variantit Delta, duke shprehur keqardhje për mungesën e koordinimit në nivelin Europian për kufizimet që do të vendosen për udhëtarët që vijnë nga vendet në rrezik.
Në Gjermani, varianti Delta është përgjegjës për rreth gjysmën e të gjithë infeksioneve të reja COVID-19, sipas raporteve që citojnë Lothar Wieler, President i agjencisë federale të shëndetit të Institutit Robert Koch (RKI).
Numri i infeksioneve të reja është zvogëluar ndjeshëm javët e fundit. Të martën, instituti njoftoi 404 raste në 24 orë, ndërsa 54% e të rriturve në Gjermani kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës në vend, dhe 36% janë inokuluar plotësisht. (EN)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.