Euro bie poshtë 128 lekëve – Niveli më i ulët që prej shkurtit 2009
Monedha europiane u zhvlerësua sërish ndaj lekut ditën e mërkurë, duke arritur vlerën më të ulët të nëntë viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, publikuar nga Banka e Shqipërisë, euro u këmbye të mërkurën me 127.92 lekë. Ky është niveli më i ulët i kursit që nga shkurti i vitit 2009.
Ekspertët e tregut valutorë nuk janë në gjendje të identifikojnë faktorë të rinj në zhvlerësimin e euros, me përjashtim të ofertës së lartë të kësaj monedhe në tregun valutor, fenomen që po regjistrohet tashmë prej disa vitesh. Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo ofertë e rritur e euros ka ardhur falë përmirësimit të bilancit të llogarisë korrente dhe rritjes së investimeve të huaja direkte.
Sidoqoftë, për t’u theksuar është se në ditët e fundit euro po zhvlerësohet edhe kundrejt valutave të tjera në tregjet ndërkombëtare dhe sidomos ndaj dollarit amerikan. Ndonëse zakonisht kursi i këmbimit mes euros dhe lekut nuk është shumë i ndjeshëm ndaj konjukturës së tregjeve ndërkombëtare, një ndikim i tillë nuk mund të përjashtohet. Në reflektim të forcimit ndaj euros, dollari amerikan u forcua sërish edhe në kursin e këmbimit me lekun, duke arritur të mërkurën vlerën e 106.5 lekëve.
Si një ekonomi importuese neto e mallrave dhe shërbimeve, teorikisht Shqipëria ka më shumë përfitime nga forcimi i monedhës vendase. Megjithatë, zhvlerësimi i euros ka shkaktuar shqetësim te bizneset eksportuese që paguhen në monedhën europiane, ndërkohë që shumicën e shpenzimeve të tyre i kryejnë në lekë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.