Euro bie pranë nivelit më të ulët në 2 vite – Fitorja e Macron në zgjedhjet presidenciale dështon të mbështesë monedhën!
Dollari ka zgjeruar fitimet edhe në sesionin e sotëm, pasi investitorët kanë preferuar asetet e sigurta për shkak të rritjes së rreziqeve dhe paqartësive globale, ndërsa euro zgjeroi humbjet pavarësisht fitores bindëse të Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë, kundër kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.
Indeksi që mat dollarin amerikan u rrit me rreth 0.3% në sesionin e sotëm, në rreth 101.3. Analistët shprehen se me largimin e shqetësimeve që kishin të bënin me zgjedhjet presidenciale në Francë, tashmë tregjet do të fokusohen te çështjet e tjera, siç është lufta mes Rusisë dhe Ukrainës apo kërcënimet inflacioniste.
Ndërkohë, euro ka rënë ndjeshëm dhe po kuotohet pranë nivelit të 1.07 dollarëve, jo shumë larg nivelit më të ulët në 2 vitet e fundit. Macron ka siguruar një fitore bindëse përballë Le Pen, duke marrë mbi 58% të votave.
Në fjalimin e tij të fitores, Macron e pranoi se shumë njerëz kishin votuar për të vetëm për të kundërshtuar Le Pen dhe premtoi se do të adresojë problemin e rënies së standardeve të jetesës për francezët. Në tregun e kriptovalutave, bitcoi ka rënë ndjeshëm dhe po tregtohet në rreth 38 mijë dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 2,800 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.