Euro ndal rënien – Ngjitet sërish mbi nivelin e 132 lekëve
Në fillim të kësaj jave, euro preku nivelin më të ulët që nga gushti i viti 2009, në raport me lekun. Por, gjatë ditës së mërkurë, monedha europiane duket se ka ndalur humbjet, madje është rritur sërish mbi nivelin mesatar të 132 lekëve.
Referuar kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye mesatarisht me 132.15 lekë, në rritje me 0.17%, krahasuar me ditën e martë. Por, pavarësisht rritjes modeste, monedha e përbashkët europiane po qëndron në nivelin më të ulët në 8 vitet e fundit përballë lekut. Rënia ndikohet nga oferta e lartë e monedhës euro në tregun e brendshëm, kryesisht nga rritja e investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga turizmi.
Gjatë muajit qershor, ndërkohë, presioni mbi euron mund të jetë rritur edhe për shkak të shpenzimeve për fushatën zgjedhore. Referuar të dhënave historike, është karakteristikë që në muajt e verës tendenca e euros të jetë drejt rënies, për shkak të sezonit veror ku prurjet në euro janë më të larta. Zhvlerësimi i euros është një problem për sektorët eksportues të ekonomisë shqiptare.
Një tjetër degë e rëndësishme e ekonomisë që do të preket nga zhvlerësimi i euros është turizmi. Në përgjithësi, subjektet dhe individët që kanë të ardhura në euro, ndërsa shpenzimet i kryejnë në lekë janë të penalizuara nga zhvlerësimi i monedhës europiane.
Kjo vlen edhe për depozituesit që kanë zgjedhur t’i mbajnë kursimet në euro, tendencë kjo në rritje gjatë dy viteve të fundit. Përkundrazi, nga zhvlerësimi i euros përfitojnë individët dhe subjektet me të ardhura në lekë dhe shpenzime në euro.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.