Euro, rekord i ri negativ. Bie në 124.7 lekë – Forcimi i lekut reflektohet edhe tek dollari dhe stërlina
Valuta e përbashkët europiane ka shënuar një rekord të ri negativ në tregun vendas të këmbimit valutor. Zhvlerësimi i euros që nisi në muajin Mars ka mbërritur sot në kursin e 124.7 lekëve, në rënie me plot 1 lekë për njësi krahasuar me javën e kaluar.
Tashmë që prej fillimvitit, euro ka humbur gati 7% të vlerës së tij. Ndërkohë luhatjet ditën e sotme janë regjistruar aq poshtë sa deri në 124.3 lekë. Kjo rënie mbështetet edhe nga shqetësimet ndërkombëtare mbi planet e qeverisë së re të Italisë për të dalë nga euro.
Forcimi i lekut është reflektuar edhe në raportin që ka sot në treg kundrejt valutave të tjera kryesore të huaja. Dollari amerikan, edhe pse po performon mirë në tregjet ndërkombëtare, në pikat e këmbimit në vend blihet për 106.6 lekë dhe shitet për 107.5 lekë.
Edhe më e theksuar është rënia e paundit britanik, i cili është tashmë në kursin e 142.3 lekëve, në rënie me 0.7 lekë për njësi krahasuar me javën e kaluar. Stërlina ka humbur pikë pavarësisht të dhënave të fundit të ekonomisë që treguan se ishte rritur prodhimi.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian nuk ka shfaqur luhatje dhe mbetet në kuotën e 81.2 lekëve, ndërsa dollari kanadez ka humbur 1.1 lekë për njësi duke mbërritur në kuotën e 82.3 lekëve. Në rënie paraqitet edhe franga zvicerane, e cila sot këmbehet për 107.8 lekë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.