Euro shqetëson BQE – Fuqizimi i valutës po redukton efektet e stimujve monetarë
Politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane treguan shqetësim për një rritje të fortë të euros, në takimin e 20 Korrikut, duke paralajmëruar se kushtet lehtësuese financiare nuk duhet të merren si të mirëqena.
Rritja e Euros në kohët e fundit, që po i bën eksportet e Eurozonës më pak të tërheqshme dhe importet më të lira, është cilësuar nga investitorët si kërcënimi më i madh ndaj përpjekjeve të BQE për të arritur objektivin e inflacionit. Procesverbali i takimit të fundit të BQE tregoi se caktuesit e normave të interesit ishin të vetëdijshëm për këtë rrezik ndërkohë që vendosën të mos ndryshojnë politikat stimuluese monetare.
Euro është rritur me më shumë se 6.5% kundër shportës së valutave të monitoruar nga Banka Qendrore Europiane. Duke reaguar ndaj fjalimit të presidentit Mario Draghi në muajin Qershor që ndikoi ndjeshëm te euro, politikëbërësit thanë se ndryshimi më i vogël në komunikimin e tyre mund të keqinterpretohet dhe të trazojë tregjet. Rritja e euros dhe yield-eve të obligacioneve pas fjalimit të Mario Draghit në Qershor, ktheu mbrapsht punën e institucionit për të ulur kostot e huamarrjes.
Megjithatë, zyrtarët e institucionit thanë se lëvizjet e tregjeve kanë reflektuar edhe përmirësimin e kushteve ekonomike në rajon. Ekonomia është rritur për të 17-in tremujor radhazi dhe norma e papunësisë ka qenë në rënie të shpejtë. Disa zyrtarë argumentuan gjatë takimit se rimëkëmbja e ekonomisë së Eurozonës po bëhet e qëndrueshme dhe më pak e varur ndaj stimujve të bankës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.