Euro vazhdon rënien – Bie prej rreziqeve politike në Itali, rritja e yield-it në SHBA mbështet dollarin
Euro ra në nivelin më të ulët në 5 muaj, ndërkohë që investitorët u shqetësuan mbi kërkesat e partive populiste në Itali dhe ndërkohë që rritja e interesave të borxhit në SHBA, shtoi kërkesën për dollarin.
Euro ra në 1.1795 kundër dollarit gjatë hapjes së sesionit tregtar. Monedha e përbashkët ka rënë vazhdimisht që nga niveli prej 1.25 në muajin Prill, përpara se të niste fuqizimi i dollarit amerikan, ndërkohë që investitorët menduan se Rezerva Federale do të rrisë më shpejtë normat e interesit për të frenuar inflacionin, ndërsa bankat e tjera po shtyjnë planet e tyre për të tkurrur politikat monetare.
Kjo bëri që investitorët të ndryshojnë pozicionet e tyre për dollarin, që projektohej në rënie për 2018-ën, duke e çuar valutën në rritje. Yield-i i titujve 10-vjeçar të qeverisë amerikane shënoi 3.12% këtë javë, që është niveli më i lartë që prej vitit 2011.
Euro është vënë gjithashtu në presion pas raportimeve se Lëvizja 5 Yjet në Itali dhe partia tjetër populiste, Liga, mund t’i kërkojnë Bankës Qendrore Europiane që të falë 250 miliardë euro borxh, ndërkohë që partitë po përgatiten të hartojnë një program të koalicionit.
Yield-i i borxhit 10-vjeçar në Itali, u rrit në 2.13%, që është niveli më i lartë në 3 muaj. Kosto e sigurimit ndaj borxhit Italia, (CDS), u rrit në 111 pikë bazë pas raportimit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.