Euro vazhdon të ngjitet – Nxitet nga negociatat për qeverinë gjermane dhe komentet e BQE
Euro shënoi nivelin më të lartë në 3 vite ditën e hënë, ndërkohë që optimizmi mbi rritjen ekonomike ka shtuar pritshmëritë e publikut për tkurrjen e politikave monetare në rajon. Shanset e një koaliconi pro-Europës në Gjermani, ka shtuar gjithashtu besimin te kontinenti. Ndërkohë që Europa po tregon shenja të rritjes së qëndrueshme ekonomike, shenja që janë përhapur në të gjithë botën, titujt globalë të kapitalit kanë prekur nivele rekord, edhe pse investitorët po presin tashmë tërheqjen e stimujve të jashtëzakonshëm nga bankat qendrore.
Ky këndvështrim ka marrë më shumë nxitje javën e kaluar, kur politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane diskutuan se mund të përgatisin së shpejti terrenin për heqjen e suportit monetar. Valuta e përbashkët u rrit në 1.2227 kundër dollarit ditën e hënë, një nivel që nuk është parë që prej Dhjetorit 2014. BQE nuk është e vetmja bankë që po i futet këtij procesi. Guvernatori i Bankës së Japonisë, Haruhiko Kuroda ofroi një perspektivë pozitive mbi ekonominë e tretë më të madhe në botë, duke e çuar jenin në nivelin më të lartë në 4 muaj kundër dollarit amerikan.
Sipas analistëve, suporti i fundit ndaj valutës së përbashkët vjen dukshëm nga optimizmi se qeveria gjermane po i afrohet marrëveshjes për koalicion, ndjekur nga komentet e BQE për tkurrjen monetare. Tregjet kanë vendosur tashmë një shans prej 70% se institucioni në Frankfurt do të rrisë normën bazë të interesit me 0.1% deri në fund të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.