Euro, vetëm fillimi – Projeksionet e ekspertëve flasin për “marshim” të monedhës
Marshimi i euros mund të jetë vetëm në fillimet e tij, deklarojnë ekspertët.
Ditën e Enjte, Mario Draghi provokoi një rritje tjetër të monedhës së përbashkët europiane, pranë nivelit më të lartë 2-vjeçar. Euro “kapërceu” kështu nivelin e 1.16 dollarëve.
Aktualisht, euro është performuesja më e mirë mes 10 valutave kryesore, gjatë këtij viti, dhe gjasat janë që të vazhdojë marshimin që ka nisur.
Kjo pasi, Banka Qendrore Europiane ka deklaruar se, do të fillojnë shtrëngimin e politikave monetare, gradualisht, dhe se nuk ka më vend për lehtësim.
Diçka e tillë përkthehet në forcim të pashmangshëm të euros. Në Shtator ose Tetor të këtij viti, kur Mario Draghi të njoftojë tërheqjen nga programi i lehtësimit sasior në shkallë të gjerë, euro do të marrë një tjetër nxitje të fortë.
Fjala e Draghit se, kujdesi i treguar nga Banka Qendrore Europiane ka larguar forcat deflacioniste në kontinent, nxiti euron që t`i largohej niveleve rekord minimale që ishin parë vetëm në fillim të këtij mijëvjeçari.
Ekspertët presin që normat e interesit të fillojnë rritjen në Shtatorin e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se, të paktën deri atëherë, Euro do të vazhdojë forcimin.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.