Eurobondi, oferta mbi kërkesën e palës shqiptare! Bursa e Londrës: Për 200 mln euro, Shqipërisë iu ofruan 311 milionë euro
Operacioni i emetimit të Eurobondit deri më tani po jep sinjale pozitive, të paktën nëse analizojmë ofertat që kanë ardhur për kërkesën e blerjes e pjesës së pashlyer të borxhit të marrë nga emetimi i mëparshëm.
Në fund të muajit të kaluar, Shqipëria u listua zyrtarisht në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për operacionin e blerjes mbrapsht (buy-back) të Eurobondit të lëshuar në vitin 2015. Afati përfundimtar për paraqitjen e ofertave për blerjen pas të borxhit ishte data 1 Tetor 2018.
Sipas dokumenteve të Bursës së Londrës, të zbardhura nga SCAN, qeveria synonte të blinte një shumë maksimale prej 200 milionë eurosh, me një ofertë prej 109.75% të vlerës së principalit që maturohet në vitin 2020. Po në fakt, oferta që i ka ardhur palës shqiptare është për 311 milionë euro.
Në këto kushte, pala shqiptare që ka vendosur të blejë vetëm 200 milionë euro nga borxhi i eurobondit ekzistues, mund të negociojë për kushte më të favorshme, duke përfituar në këtë mënyrë edhe për emetimin e eurobondit të ri, proces që ka nisur sot e mbyllet me 9 tetor 2018. Manaxherët e autorizuar nga shteti shqiptar të kësaj marrëveshjeje janë Banca IMI, Citigroup dhe Societe Generale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.