Eurobondi, qeveria do ta emetojë në shumë tregje – Synohen investitorë nga SHBA dhe Europa. Hapet gara për konsulentin
Qeveria shqiptare po bëhet gati për emetimin e një eurobondi prej 500 milionë eurosh në disa tregje në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ku synon të tërheqë investitorë të rëndësishëm, raporton portali ekonomik SCAN. Në dokumentet e zbardhura, qeveria konfirmon edhe parablerjen me tender të eurobondit ekzistues, të emetuar në vitet 2010 dhe 2015.
Së fundmi qeveria ka hapur procedurat për gjetjen e një firme ligjore të specializuar në dhënien e këshillimeve ligjore për emetimin e eurobondit. Firma që do të shërbejë si këshilltar ligjor duhet të ketë ekspertizë në ligjin anglez, çka mund të kuptojë se emetimi do të përqendrohet në bursat e Britanisë së Madhe.
Shërbimi i konsulencës ligjore do të zgjasë deri më 31 Dhjetor 2019 dhe pritet të kushtojë rreth 258 mijë euro. Ekipi që do të asistojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në listimin e bondit do të përbëhet nga 5 ekspertë ligjorë dhe ekonomikë me eksperiencë në procese të emetimit të borxheve sovrane.
Konsulenti i huaj do të asistojë në strukturimin e ofertës, përcaktimin e afateve ligjore, përgatitjen e dokumentacionit, negociatat me bankat e deri në hedhjen e bondeve në treg dhe dhe përfundimit të procesit.
Emetimi i një eurobondi ishte lajmëruar që në projektbuxhetin e këtij viti dhe do të shërbejë për të shmangur kufizimet që burojnë nga kapaciteti i limituar i tregut të brendshëm, si dhe për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë, të cilat gjatë këtij viti janë rreth 20% më të larta se në 2017-ën.
Emetimi i këtij eurobondi të ri parashikohet të kryhet gjatë muajit Tetor të këtij viti, megjithëse kohëzgjatja e kontratës me konsulentin dhe synimi për listimin në disa tregje mund të nënkuptojë zgjatjen e këtij procesi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.