Europa “bie” – Automjetet dhe avionët turbullojnë tregjet, bankat balancojnë
Bursat europiane u regjistruan në rënie gjatë sesionit të parë të kësaj jave, me sektorin automobilistik që ka prekur nivelin më ulët gjatë këtij viti, pas lajmeve më të fundit që vijnë nga rregullatorët e tregut e që flasin për hetime të reja.
Nga ana tjetër, edhe të dhënat që flasin për një përshkallëzim të luftës së çmimeve mes kompanive ajrore kanë dëmtuar tregjet europiane të aksioneve gjatë kësaj fillim jave. Indeksi Pan europian STOXX 600 ra me 0.2%.
Kjo performancë vjen vetëm falë sektorit financiar që ka zhbërë një pjesë të konsiderueshme të humbjeve nga sektorët e tjerë. Vetëm Ryanair ka pësuar një humbje prej 4.7%, paçka se ka raportuar një rritje të fitimeve me 55% gjatë tremujorit të parë të vitit. Volswagen, Peugeot, Daimler, Renault dhe BMW ranë të gjitha me mbi 1.2%, duke e bërë sektorin performuesin më të keq.
Rënia vjen si pasojë e rregullatorëve të antitrustit në Bashkimin Europian që deklaruan se janë duke hetuar mundësinë e ekzistencës së një karteli mes shtëpive prodhuese, çka do të çonte në gjoba tepër të majme në rast se do të vërtetohej. Karteli përkthehet në një organizëm që operon mbi bazat e një oligopoli.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.