Europa dhe dashuria e humbur për motorët diesel – Trekëndëshi mes industrisë, qeverive dhe konsumatorëve
Motori diesel konsiderohet gati i shenjtë në vendlindjen e tij në Gjermani, ku makinat e para diesel u prodhuan në vitet ’20-’30. Shofërt i dashuronin këto makina për ekonominë në karburant dhe veçanërisht pas shpikjes së injektimit direk në vitet ’90, pasi kjo do të thoshte se ato mund të kishin më tepër performancë në shpejtësi të ndryshme.
Me motorin e ri diesel, makinat jo më të zhurmshme, që nuk lëshonin re tymi nga pas ishin një zgjedhje në dukje e përkryer. Këto automjete patën më shumë sukses në Europë se sa në SHBA, pasi atje ishte benzina më e lirë dhe prodhuesit e makinave nuk kishin investuar në këtë teknologji.
Pas traktatit ndërkombëtar të Kyotos në vitin 1997, qeveritë europiane u mbështetën tek makinat me naftë për të arritur objektivat e tyre të ndotjes, duke qenë se motorët diesel lëshon më pak CO2 se sa makinat me benzinë. Miliarda euro u shpenzuan për subvencionimin e karburantit, për ta bërë më të lirë se benzina, si edhe nxitës të tjerë, si psh. Taksimi më i ulët për makinat e naftës se sa ato me benzinë.
Por edhe në vitin 2012 Organizata Botërore e Shëndetësisë botoi një raport ku thuhej se tymrat e diesel-it shkaktonin kancer, falë niveleve të larta të oksideve të azotit, askush nuk zgjodhi të dëgjonte. Nga një pjesë tregu prej 13% në Europën Perëndimore në vitin 1990, ato shpejt u ngritën për të dominuar në mbi gjysmën e tregut.
Më pas në vitin 2015 shpërtheu skandali “Dieselgate”, i cili bënte fjalë për mashtrimet e Volkswagen me emetimet, çka dëmtoi jo vetëm imazhin e kompanisë, por të të gjithë makinave me këtë lloj motori. Impakti mbi shëndetin u bë papritur kryeqendra e debateve dhe njerëzit u ndien të tradhtuar e të konfuzuar, ndërsa blerësit e makinave filluan të prapsen.
Kthesa 180 gradë
Në fund të vitit 2017, shitjes e makinave me naftë në Britaninë e Madhe ranë me 17%, ndërsa në gjermani me 7%. Në Francë, raporti i makinave të reja me motorë diesel ra nën 50% për herë të parë në 17 vjet. Vjet për herë të parë që nga viti 1999 shitjet e makinave me benzinë tejkaluan ato të atyre me naftë.
“Për makineritë e rënda dhe ndoshta për makinat shumë të mëdha mendoj se dieseli do të mbijetojë edhe për disa vite, por për segmentet e vogla dhe të mesme ajo do të zhduket”, thotë Peter Mock, drejtori menaxhues për BE i Këshillit Ndërkombëtar për Transportin e Pastër.
Sipas tij tashmë nuk ka ndonjë avantazh shumë të madh mbi konsumin e karburantit dhe automjetet moderne me benzinë kanë të njëjtat nivele ndotje me ato të makinave me naftë.
Në horizont duken edhe ndalimet e motorëve diesel në disa qytete shumë të ndotura në Europë dhe njerëzit kanë frikë se mos do të ngecin me një makinë që s’mund ta përdorin apo ta rishesin pas disa vitesh.
Kërkesat për ndalimin e motorëve diesel po rriten shpejt edhe në vendlindje, sidomos në Shtutgart, Mynih dhe Berlin, ku ndotja është shumë problematike. Qeveria gjermane ka urdhëruar prodhuesit e automjeteve të pajisin me programe të reja mbi 5 milionë makina nafte, në mënyrë që të emetojnë më pak oksid azoti.
E gjithsesi kjo është konsideruar vetëm një dackë e vogël nga qeveria, e cila akuzohet se e trajton shumë butë industrinë, pasi jo vetëm punëson mbi 800 mijë njerëz, por edhe pse gjeneron qindra miliarda euro të ardhura, 400 miliadë euro në vitin 2015.
Rifitimi i besimit
Por ka nga ata që mendojnë se braktisja nga ana e konsumatorëve i ka dhënë një mësim të mirë prodhuesve, të cilët tashmë janë rikthyer në laboratorë për të zhvilluar teknologji të reja që ndotin më pak.
Me teknologjinë e sotme, një motor diesel mund të ketë të njëjtat nivele ndotjeje si në testime, ashtu edhe në rrugë.
Krahas përfitimeve ekonomike, për Gjermaninë është shumë e rëndësishme që motorët diesel të mbijetojnë, përndryshe nuk do të mund të arrijë standardet e vendosura mbi ndotjen deri në vitin 2020.
Një arsye për të rifituar besimin e njerëzve kanë edhe vetë prodhuesit, të cilët fitojnë më tepër para nga shitja e modeleve trandicionale, se sa makinat elektrike, të cilat kanë kosto të larta prodhimi.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.