Europa jep “OK”, mbështetet planin e qeverisë greke për të mos ulur pensionet
Zyrtarët e eurozonës kanë dhënë dritën e jeshile për pezullimin e shkurtimeve të planifikuara të pensioneve në janar duke mos shprehur ndonjë kundërshtim ndaj palnit të qeverisë greke.
Miratimi përfundimtar pritet të jepet nga Ministrat e Financave në një samit të planifikuar me datë 3 dhjetor, kur pritet të shqyrtohen edhe buxhetet e shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Ndërsa ka përshëndetu lajmi pozitiv nga Brukseli, kryeministri grek, Alexis Tsipras, deklaroi se buxheti i vitit të ardhshëm jo vetëm që është ‘pa kursim’, por gjithashtu përfshin një sërë masash për rritjen ekonomike.
Megjithatë, sipas burimeve, oferta e qeverisë për të përmbushur objektivin ambicioz të një suficiti primar prej 3.5 për qind është bërë në ‘kurriz’ të iniciativave për rritjen ekonomike, përkatësisht 350 milionë euro nga Programi i Investimeve Publike dhe 103 milion euro fonde të rezervuara në buxhet për të subvencionuar kontributet e sigurimeve shoqërore të profesionistëve nën moshën 25 vjeç.
Nga ana tjetër, me kërkesë të Komisionit Europian, subvencionet e qirasë do të rriten në 400 milionë euro nga 150 milionë euro që qeveria kishte përfshirë në buxhet. Masat e tjera përfshijnë reduktimin e tatimit të pronës të ENFIA dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të profesionistëve të vetëpunësuar.
Masat fiskale do të zbulohen plotësisht më 21 nëntor kur buxheti grek dhe buxhetet e të gjitha vendeve të eurozonës do të shqyrtohen nga Komisioni Europian. Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, buxheti do t’i dorëzohet Parlamentit grek.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.