“Europa nuk është egoiste!” / Macron mbron vendimin për të kontrolluar eksportet e vaksinave
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se mbështet kontrollet më të ashpra të eksportit të vaksinave në BE, për kompanitë e barnave që nuk përmbushin angazhimet kontraktore me bllokun.
“Është fundi i naivitetit” – tha Macron, duke shtuar se mbështet mekanizmin e Komisionit Europian, që bllokon eksportet nëse kompanitë e barnave nuk mbajnë premtimet. Macron tha se Bashkimi Evropian është vonuar me prodhimin dhe administrimin e vaksinave, por shtoi se fushata do të marrë vrull dhe do të bëhet prodhuesi më i madh në botë i vaksinave këtë Verë. Macron tha se Evropa, ndryshe nga vendet e tjera, ka eksportuar pjesën më të madhe të prodhimit, në vend që ta mbajë për vete.
Macron, që po përballet me një valë të tretë të koronavirusit në Francë, mbrojti vendimin e tij për të mos vendosur një karantinë të tretë në fund të muajit Janar, që ishte kundër këshillave të shkencëtarëve. “Nuk pranoj faj dhe nuk kam pendime”- tha Macron, duke shtuar se ishte vendimi i duhur. Megjithatë, presidenti francez tha se është shqetësuar me situatën në spitalet franceze dhe shtoi se me shumë mundësi do të merren masa të reja në ditët e ardhshme
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.