Europë, rikthehet “bisha nga lindja” – I njëjti model moti me Janarin 2018. Rritet kërkesa për energji
I njëjti model i motit që shkaktoi të ftohtin e ashpër siberian të quajtur “bisha nga lindja” pritet të rikthehet në Europë në fund të këtij muaji, duke shtuar kërkesën për energji.
Një ngrohje e papritur stratosferike u shfaq në nisje të Janarit, fenomen që nxit zakonisht motin e ftohtë. I njëjti model tronditi Europën në fillim të 2018-ës, që trefishoi kërkesën për gaz natyror dhe rriti çmimet e energjisë. Nisja e ngadaltë për këtë vit e periudhës së të ftohtit, ku kërkesa për energji është e lartë, ka bërë që tregtarët të shtojnë inventarët e gazit.
Sipas analistëve të Bloomberg, shfaqja e papritur e të ftohtit mund të shkaktojë përsëri rritje të çmimeve të gazit në Europë, megjithatë, jo në nivelet e vitit të kaluar, duke marrë parasysh rritjen e inventarëve. Temperaturat ranë poshtë normales javën e kaluar dhe pritet të bien përsëri në fund të horizontit aktual të parashikimeve. Sipas Meteogroup U.K, gjysma e parë e Janarit ka gjasa të jetë më e ngrohte se zakonisht në veriperëndim të Europës.
Rreziku i temperaturave të ftohta do të vijë nga data 10 Janar. Rritja afat-shkurtër e kërkesës nuk do të absorbojë të gjithë rritjen e fluksit të gazit që vjen nga Rusia në Europë. Sipas Meteogroup, në gjysmën e parë të Janarit pritet borë në vendet Skandinave si dhe juglindje të Europës. Më pas, në fund të Janarit dhe fillim të Shkurtit, i ftohti pritet të zhvendoset në Veri të Europës. Megjithatë, sipas kompanisë, pavarësisht se kushtet janë të njëjta me vitin e kaluar, moti nuk do të jetë aq ekstrem.
Italia po ndjen të ftohtin, ndërkohë që temperaturat në Romë kanë rënë me 4.4 gradë Celsius poshtë mesatares.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.