Eurostat “rrëzon” Draghin – Inflacioni ngjitet pranë 1.9% gjatë prillit, “marshon” euro
Norma e inflacionit në Eurozonë u ngjit pranë 1.9% gjatë muajit Prill, duke kapur kështu objektivin e Bankës Qendrore Europiane, pranë por më poshtë se 2%. Këto të dhëna vijnë vetëm një ditë pas vendimit të institucionit me bazë në Frankfurt për të mos ndryshuar politikat monetare, dhe fjalës së Mario Draghit, i cili u shpreh se, inflacioni nuk po tregon shenja rimëkëmbje.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se, çmimet e konsumit në zonën e monedhës së përbashkët europiane u rritën me 1.9% gjatë muajit Prill, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë Marsit ndërkohë, inflacioni fiksohej në 1.5%. Pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve flisnin për një normë në 1.8%.
Norma bazë e inflacionit, që përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si energjia apo ushqimet e papërpunuara, u ngjit në 1.2% gjatë Prillit, që është edhe norma më e lartë në thuajse 4 vite.
Të dhënat e Eurostat për inflacionin në Eurozonë kanë gjenruar një marshim të monedhës së përbashkët europiane ndaj dollarit amerikan, duke rikuperuar humbjet e pësuara të Enjten, kur Draghi deklaronte se, inflacioni po zhgënjen.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.