Eurozona ka rifituar vrullin ekonomik – Lagarde, thirrje për përshpejtimin e reformave nga qeveritë e BE
Zyrtarët e Bashkimit Europian dhe ministrat e financave u shprehën optimistë mbi rimëkëmbjen e ekonomisë së Eurozonës në periudhën e post pandemisë, por paralajmëruan se Europa duhet të punojë fort për të shmangur një dëm afatgjatë ekonomik. “Aktiviteti ekonomik po rigjallërohet. Pas recesionit teknik në tremujorin e fundit të 2020 dhe në tremujorin e parë të 2021, tashmë po shohim të dhëna shumë inkurajuese”, deklaroi Komisioneri Europian për Ekonominë, Paolo Gentiloni, në një konferencë për mediat pas takimit të ministrave të financave të Eurozonës.
Ndërsa, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, i mbështeti komentet e komisionerit, por paralajmëroi se kriza shëndetësore mund të lerë shenja të mëdha, ndërsa ekziston edhe një divergjencë e madhe mes vendeve në procesin e rimëkëmbjes. Parashikimet e Komisionit Europian sugjerojnë se 27 vendet e Bashkimit Europian do të arrijnë nivelet e parakrizës në mes të vitit 2022. Por, disa vende, si Gjermania dhe Franca do ta arrijnë këtë objektiv më herët, ndërsa vende të tjera si Italia dhe Spanja do të kthehet në periudhën parakrizës mbase në fund të 2022.
Në anën tjetër, të dhënat tregojnë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të rimëkëmben më shpejt dhe për këtë arsye nevojitet që Eurozona të veprojë me shpejtësi për të mbështetur potencialin e rritjes ekonomike. Në muajt në vijim, Komisioni Europian do të vlerësojë planet e investimeve dhe të reformave nga qeveritë e vendeve anëtare, që synojnë ti bëjnë ekonomitë më të gjelbëra dhe më të dixhitalizuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.