Eurozona në formë – Indeksi PMI ngjitet gjatë Gushtit, mbështetje për BQE
Ekonomia e Eurozonës vijon të japë sinjale të qarta se është në formë, në një kohë që Banka Qendrore Europiane pritet të shtrëngojë politikat monetare duke u larguar nga programi i stimujve. Indeksi PMI i Markit, për manifakturën dhe shërbimet u ngjit në 54.4 pikë gjatë gushtit, nga 54.3 pikë që ishte më parë. Të dhënat rezultojnë lehtë nën pritshmëritë e tregjeve, që flisnin për një lexim në 54.5 pikë.
Të dhënat sinjalizojnë se, rritja ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit do të jetë në 0.4%. Edhe indikatorët e tjerë, të aktivitetit të biznesit, tregut të punës dhe çmimeve rezultojnë të jenë në rritje. Pavarësisht këtyre leximeve, hapi aktual i rritjes është më i dobëti në më shumë se 1 vit, thotë Markit, ndërkohë që pritshmëritë e sipërmarrjes për rritjen ekonomike kanë zbritur pranë nivelit më të ulët në thuajse 2 vite.
Anketa e fundit e Markit dërgon kështu sinjale mikse drejt politikbërësve. Banka Qendrore Europiane ndërkohë, vlerëson pikërisht rritjen e qendrueshme dhe të fortë ekonomike si arsyen kryesore të ndryshimit të kursit të politikave monetare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.