Eurozona rishikohet në rritje – Ekonomia rritet sipër vlerësimeve fillestare, industria tkurret ndjeshëm
Ekonomia e Eurozonës është rritur sipër vlerësimeve fillestare në tremujorin e dytë, sipas të dhënave të Eurostat, duke treguar se efektet negative nga lufta tregtare mund të shfaqen më vonë gjatë vitit.
Megjithatë, ndërkohë që Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.4% në tremujorin e dytë, sipër projeksioneve prej 0.3%, prodhimi industrial në 19 vendet e valutës së përbashkët ra ndjeshëm gjatë Qershorit, prej investimeve në makineri dhe pajisje.
Konfirmimi i Eurostat për një rritje ekonomike prej 0.4% ishte sipër vlerësimit fillestar prej 0.3%. Agjencia rishikoi gjithashtu normën vjetore të rritjes në 2.2%, nga 2.1% që vlerësohej më parë.
Rishikimi i agjencisë së Statistikave të Bashkimit Europian vjen pas performancës më të mirë se ç’pritej të Gjermanisë, që pati rritje me 0.5% në tremujorin e dytë, nxitur nga konsumi dhe shpenzimet shtetërore.
Paralelisht, Eurostat publikoi të dhënat mbi prodhimin industrial, ku pati një rënie prej 0.7% në Qershor, që tejkaloi projeksionet më pesimiste të analistëve. Outputi në Industri në Eurozonë pati një rritje prej 1.4% në muajin Maj.
Performanca e dobët e Qershorit erdhi kryesisht nga një rënie me 2.9% e prodhimit të mallrave kapitale, si makineritë, duke treguar se firmat po përgatiten për një rënie të aktivitetit në muajt e ardhshëm.
Prodhimi i mallrave të ndërmjetëm dhe të konsumit ra gjithashtu, ndërsa në energji, pati rritje me 0.5%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.